Tanket gjermane "Leopard" që iu dërguan Ukrainës do të digjen, duke pësuar të njëjtin fat sikur tanket naziste "Tigër" në Luftën e Dytë Botërore (LDB), deklaroi sot kreu i Dumës Shtetërore të Rusisë, Vyacheslav Volodin.

 

Përmes një mesazhi në Telegram në përkujtimin e 80-vjetorit të fitores së Rusisë në Betejën e Stalingradit, Volodin tha se fitorja e Moskës në betejë u arrit me një kosto të lartë, me vdekjen e më shumë se një milion ushtarëve.

 

Duke e cilësuar betejën si fillimin e dëbimit të Gjermanisë naziste nga toka sovjetike, Volodin tha se Gjermania nuk duket se ka nxjerrë mësime nga fitorja e Moskës në Stalingrad, i njohur tani si Volgograd.

 

"(Angela) Merkel, derisa ishte kancelare e vendit, mashtroi komunitetin botëror dhe popullin e saj, duke ndihmuar regjimin nazist të Kievit të përgatitej për luftë", deklaroi Volodin.

 

Ai tha se qeveria aktuale gjermane e udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz shkoi edhe më tutje duke dërguar tanke "Leopard 2" në Ukrainë.

 

“Fati i tyre do të jetë i njëjtë si 80 vjet më parë. 'Leopardët' do të digjen dhe do të përjetojnë fatin e njejtë sikur 'Tigrat' fashistë", tha Volodin.

 

"Udhëheqja e Gjermanisë duhet t'ua tregojë të vërtetën qytetarëve të saj pse po e tërheqin edhe një herë popullin gjerman në luftë. Dhe kujtoni vitin e largët 1943, por të paharrueshëm", tha kreu i Dumës Ruse.

 

Gjermania njoftoi të mërkurën e kaluar se do të dërgojë 14 tanke "Leopard 2" në Kiev dhe do të trajnojë trupat ukrainase për përdorimin e tyre si dhe do të lejojë edhe vendet e tjera evropiane që dëshirojnë të dërgojnë tanket e tyre "Leopard" në Ukrainë.

 

Beteja e Stalingradit ishte një nga betejat më brutale ushtarake e cila zgjati për 200 ditë në vitin 1943 midis forcave sovjetike dhe atyre të Gjermanisë naziste dhe fuqive të Boshtit, e cila konsiderohet si një kthesë në favor të forcave aleate.

 

Tanket "Leopard" mendohet se do të jenë shumë të nevojshme për t'i rezistuar një ofensive të pritshme pranverore ruse në luftën e Ukrainës, e cila tashmë pothuajse i bën një vit nga fillimi i saj./AA