Kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia zhvilloi një takim me banorët e Rrjollit dhe inspektoi rrugën Velipojë-Shëngjin.

Spahia tha se “mjafton një inspektim i thjeshtë për të kuptuar gënjeshtrat e kësaj qeverie.

“Kantieri i rrugës Velipojë – Shëngjin është braktisur prej muajsh nga firma e kontraktuar për kryerjen e punimeve. Mjetet dhe punëtorët janë larguar nga kjo zonë, ndërsa e vetmja gjurmë e mbetur është tabela me afatin e pambajtur të punimeve”, shtoi ai.

Ai u shpreh se kjo rrugë ishte një nga shqetësimet e banorëve të Rrjollit ku gjatë bashkëbisedimit, sipas Spahisë, ata treguan dëmet që janë bërë në zonë nga punimet e kryera pa studim të mirëfilltë.

“Janë miliona lekë të taksapaguesve shkodranë e shqiptarë që hidhen kuturu nga babëzia e kësaj qeverie, ndërsa bazamenti i rrugës ende pa përfunduar ka nisur të shembet. Projektet 3D nuk mund t’i gënjejnë shkodranët”, theksoi Spahia.