Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se borxhi publik po vijon trajektoren rënëse edhe përgjatë këtij viti, dhe efektin kryesor po e jep vlerësimi i lekut në raport me euron, duke qenë se një pjesë e madhe e borxhit është i vlerësuar dhe i marrë në euro.
Në konferencën për shtyp mbi zhvillimet e ekonomisë përgjatë 3-mujorit të parë janar-mars, Ibrahimaj tha se borxhi publik zbriti në 63/27 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga 64.58 % e PBB-së që ishte në fund të vitit 2022.
“Shifrat e borxhit kanë vijuar të jenë pozitive dhe borxhi ka vijuar të ulet. Në tremujorin e parë, sipas shifrave paraprake, borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është në nivelin 63.27 % të PBB nga 64.58 % që ishte në fund të vitit 2022. Sipas strukturës, pesha më e madhe është në borxhin e jashtëm dhe këtu dua të theksoj efektin e kursit të këmbimit në uljen dhe reduktimin e borxhit duke qenë se një pjesë e madhe e borxhit është i vlerësuar dhe i marrë në euro, kursi i këmbimit ka sjellë dhe një ngadalësim të shifrës së borxhit publik”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja vuri në dukje se edhe kredia për sektorin privat ka vijuar të jetë pozitive.
“Po nga ana e financimit, kredia për sektorin privat ka vijuar të jetë pozitive, ndonëse ka ngadalësuar ritmet e rritjes. Kredia për konsumatorët, që lidhet ngushtë me konsumin dhe me shpenzimet konsumatore, është rritur në tremujorin e parë me 11 %, një shifër kjo që është më e ulët se sa fund viti i 2022, megjithatë është ndjeshëm më e lartë se sa mesatarja afatgjatë e këtij treguesit. Kjo do të thotë se konsumi ka vijuar të jetë pozitiv gjatë tremujorit të parë sa i përket shifrave të financimit”, tha ministrja.
Gjithashtu, theksoi Ibrahimaj, edhe kredia për blerje banesash, ndonëse ka pasur një rritje të normave të interesit, ka vijuar të jetë e lartë. “Ritmi i rritjes në krahasim me vitin e kaluar është 14.2 %, ndjeshëm dhe ky tregues më i lartë se mesatarja afatgjatë”, nënvizoi ministrja.
Për sa i përket kredisë për biznesin, ministrja bëri të ditur se stoku kryesor i kredisë për biznesin është marrë nga sektori i tregtisë, ndjekur nga sektori i ndërtimit.
Njëkohësisht të dhënat flasin për ecuri pozitive edhe të aktivitet të biznesit për tremujorin e parë të vitit 2023.
“Në mars të vitit 2023 ne kemi 126.299 biznese, një shifër kjo me 4506 biznese më e lartë se sa marsi i vitit 2022 dhe ndërkohë janë 905 biznese më shumë se fund vitit 2022. Pra, aktiviteti dhe numri i bizneseve ka vijuar të rritet. Qarkullimi i bizneseve gjithashtu në total për ekonominë është rritur me rreth 5 %, ndërsa shpërndarë sipas sektorëve, qarkullimi i sektorit të ndërtimit është rritur me 11.35 %, sektori i prodhimit me 5 %, sektori i shërbimeve me 13.69 % dhe sektori i tregtisë me 1.4 %”, tha Ibrahimaj.