Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për mediat, në përfundim të seancës plenare, u është përgjigjur gazetarëve të cilët e pyetën se përse nuk është paraqitur në seancë kryeministri Rama për çështjen McGonigal.

 

Balla është shprehur se kryeministri është në detyrë dhe se nuk po i shmanget një çështjeje që sipas tij s’është çështje.

 

“Kjo ishte seancë, që besoj se çdo shqiptar e kupton që kemi të bëjmë me një opozitë që s’ka asnjë lloj interesi për asgjë. Kam 18 vite që unë jam në Kuvend dhe e di që kryeministri mund të delegojë një interpelancë, kur unë isha në opozitë kam kërkuar interpelancë dhe kam kërkuar dhe vetëm 2 herë kanë qenë. Ka një traditë parlamentare të konsoliduar. Duhet të kuptojmë që deputetët e opozitës, qofshin foltorista ose të PD, s’kanë interes fare për këtë çështje. Sot ishte seancë përtej qesharake. Imagjinoni kush flet për drejtësinë amerikane një njeri që shkon nga pas një njeriu Non Grata.”- tha Balla.

 

Pyetje: Ku është kryeministri?

 

Balla: Kryeministri i Shqipërisë është në detyrë.

 

Pyetje: A po i shmanget?

 

Balla: S’ka shmangie nga një çështje që s’është çështje, këta po përpiqen të mbulojnë hetimet e tyre. Këta s’mund të na tërheqin ne në axhendën e tyre që s’ka thelb.