Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se rritja e pagave për bluzat e bardha e rendit Shqipërinë në nivelet e larta të vendeve të rajonit.
“Kemi realizuar një dëshirë të kahershme dhe kemi hequr një siklet të tmerrshëm që lidhej me faktin që nuk na krijohej mundësia për të bërë një rritje domethënëse pagash, të mjekëve në veçanti. Ishte e vështirë sa herë përballeshim me krahasimet me bluzat e bardha të rajonit. Na është dashur të përpiqemi e durojmë shumë, sepse nuk ishte çështje dëshire, pasi nuk ka kryeministër që s’do të rrisë pagat e punonjësve. Por rritja e pagave është një vendim që duhet marrë me kujdes dhe me garancinë që buxheti i shtetit e mbështet këtë rritje edhe ekonomia mbështetet nga kjo rritje, për të mos pasur efektin boomerang”, theksoi Rama gjatë një takimi me mjekët dhe infermierët e qarkut të Dibrës.
Ai vuri në dukje se rritja e pagave nuk po shoqërohet me rritje të borxhit.
“Është e domosdoshme të kihet parasysh që rritja e pagave të mos shoqërohet me rritje borxhi. Nuk e kemi pasur situatën të favorshme. Kemi vite që ecim me erën kundër, tërmeti, pandemia dhe agresioni rus në Ukrainë me efekte te çmimet, energjia në radhë të parë. Kemi shtyrë proceset dhe kemi spostuar paratë për të përballuar krizat. Ja arritëm t’i përballojmë“, deklaroi Kryeministri Rama.
Kryeministri u shpreh se pagat për mjekët specialistë u rritën me 50 mijë lekë nga 1 prilli, ndërsa ato për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët do të rriten me përkatësisht 20 mijë lekë dhe 15 mijë lekë në prill të vitit 2024.
“Filluam me mjekët specialistë si një sinjal, dhe pastaj rritja për bluzat e tjera të bardha është me dy hapa. Me pagën e majit do keni rritjen e parë dhe pastaj në prillin e 2024-ës do të merrni edhe shtesën tjetër. Do të rritet paga me 20 mijë lekë për mjekët e përgjithshëm, për infermierët 15 mijë lekë. Me këto rritje ne jemi në nivelin e lartë të rajonit. Nuk kemi me stresin të ulim kokpn nga kjo renditje. Nëse do të kemi mundësi të reja patjetër do të vazhdojmë të rrisim pagat”, u shpreh Rama.
Rama foli për shpërndarjen e mjekëve specialistë në të gjithë territorin.
“Po punojmë për të bërë të mundur për të pasur mjekë specialistë në të gjithë territorin duke rritur shpërblimet për ta. Duam të ofrojmë në mënyrë të barabartë atë që mjekët gjejnë në Gjermani. Pra, atë që u mbetet në fund të muajit jo atë që merr në fillim, pasi kostoja e jetesës atje është shumë më e lartë“, deklaroi Rama.
Dibra, tha Rama, ka një potencial të jashtëzakonshëm edhe për turizmin mjekësor.