Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon.

 

Kreu i qeverisë është shprehur se po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Sipas Ramës kjo nuk është situatë që të bën të ndihesh mirë, pasi persona që ka patur në krah sot janë përballlë drejtësisë, por shtuar se kjo gjë e bën krenar pasi ky fenomen po ndodh për herë të parë në historinë e Shqipërisë.

 

“Kemi hyrë në fazë të re. Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit. Për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo nuk është e lehtë. Kjo të bën të ndihesh jo mirë se s’ke si ndihesh mirë kur sheh që dikush që ka qenë përkrah teje, është përkrah avokatit përballë prokurorit apo gjykatësit. Me siguri dicka ka ndodhur. Edhe kur e sheh se si mund të përdoret forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë edhe gjëra që nuk shkojnë. Të gjitha janë pjesë e një procesi dhe rruga është e përpjetë, jo dishezë. Kini parasysh që për herë të parë ndodh kjo. Për këtë duhet të jemi ne krenarë për PS”, tha Rama.