Prej disa vitesh flitet për instalimin e matësve inteligjentë të energjisë nga ana e kompanisë publike të shpërndarjes.

 

Situata e thatësirave si fillim dhe më pas kriza e energjisë e ka zhvendosur vëmendjen nga ky projekt të cilin e ka risjellë Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

 

Ky institucion këmbëngul që të vijojë kryerja e një analize kosto-përfitim për instalimin gradual të matësve inteligjentë që sjellin bashkë me to përfitime si sa i takon gabimeve edhe lehtësive në faturim. Kjo pikë në fakt ka qenë pjesë e rezolutës së Kuvendit në vitin e shkuar lënë si detyrim për ndjekje gjatë 2022-ot.

 

“Lidhur me këtë çështje nga ana e strukturave përgjegjëse të ERE është vijuar komunikimi me OSSH sh.a, duke i kërkuar kësaj të fundit që të marrë masat për të kryer një analizë kosto përfitim për instalimin gradual të matëseve inteligjentë në një numër më të madh konsumatorësh veçanërisht duke patur në konsideratë që instalimi i një sistemi të sigurt matjeje jo vetëm ul numrin e ankesave për mbifaturim dhe shmang problematika që lidhen me matjen, por edhe krijon mundësinë për konsumatorin qofte jo familjar por edhe atë familjar, që të shfrytëzojë hapësirë që ligji për sektorin e energjisë elektrike i ka garantuar, për të dale në treg të liberalizuar duke vlerësuar ofertat me të mira” vlerëson Enti.

 

Sipas këtij të fundit për kompanitë publike ka qenë e vështirë të avancojnë në investime të mëdha për shkak të emergjencës në furnizim ku ndodhet vendi aktualisht dhe që ka bërë që ndërhyrjet të jenë vetëm në pjesët më kritike të rrjetit.

 

“Duke marrë në konsideratë që me miratimin e VKM Nr. 584, datë 8.10.2021 “Për shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike, ndryshuar me nr. 256, datë 29.4.2022 për disa ndryshime në vendimin nr.584, datë 8.10.2021, të këshillit të ministrave, “për shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”, Shoqëritë KESH sh.a., OST sh.a. dhe OSHEE Group sh.a., janë të detyruara të kryejnë investime të cilat jenë me të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë dhe kane te bëjnë me mbarëvajtjen e punës se perditshme per ti bere balle situatës së emergjencës dhe sigurimit te furnizimit me energji elektrike të situatës. Gjithsesi ERE do të ketë në fokus trajtimin në të ardhmen, me përfundimin e situatës së emergjencës energjetike, ndjekjen nga afër të vlerësimit të mundësisë së instalimit gradual të matëseve inteligjentë nga ana e operatorit” thuhet në raport.

 

Nënvizimi i Entit sa i takon kësaj pike vjen në kushtet kur në një studim të publikuar pak kohë më parë për konsumin e energjisë elektrike në Shqipëri dhe sjellja e konsumatorëve u analizua edhe ndikimi pozitiv që kishte instalimi i matësve inteligjentë në një zonë pilot. Të dhënat u aksesuan përmes Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes që është edhe kompania përgjegjëse për rrjetin.

 

“Nëpërmjet një projekti ‘Pilot’ të zhvilluar nga operatori OSSH, u panë rezultatet e provuara nga implementimi i matjes SMART në fiderin F7 dhe F8 të zonës së Kasharit / Rajoni Tiranë dhe bënë të mundur që OSSH të reduktojë humbjet në shpërndarje të energjisë elektrike të asaj zone përgjegjësie, duke shkuar në nivelin e standardeve dhe normave të lejuara në rreth 7,5 %” thuhet në studimin e Entit. / Monitor