Figura të politikës europiane kanë reaguar pas ngjarjeve të rënda në Serbi duke dënuar sulmet dhe ngushëlluar të prekurit nga tragjeditë.

 

Josep Borell, kryediplomat i Bashkimit Europian në një postim në Twitter shkruajti: “Një tjetër rast i të shtënave masive në Serbi me njerëz të pafajshëm të vrarë. Kjo është një tragjedi tronditëse, e tmerrshme – ne ndjejmë dhimbjen dhe qëndrojmë me popullin e Serbisë në këto momente të vështira”.

 

Edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi bëri thirrje për ndalje të dhunës.

 

“I dërgoj ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe mbarë kombit të Serbisë. Gjithashtu uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Kjo dhunë duhet të marrë fund tani!”, shkruajti ai.

 

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Europian, Vladimir Bilçik bëri thirrje “për një hetim të plotë të ngjarjeve të tmerrshme dhe vendosje të plotë të drejtësisë”.

 

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Europës, Marija Pejçinoviç Buriç, shkroi në reagimin e saj në Twitter se “është tronditur nga të shtënat e tjera masive në Serbi”. “Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe autoritetet në Serbi”, tha ajo.

 

Serbia, aktualisht, është në ditë zie për viktimat e sulmit në shkollë.

 

Qeveria serbe tha të enjten se ka marrë vendim që të bëjë një rishikim të gjerë të lejeve ekzistuese për armët private. Ajo paralajmëroi edhe një moratorium dy vjeçar për dhënien e lejeve të reja për mbajtjen e armëve të shkurtra të zjarrit.

 

Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në vend është ndër më të lartit në Europë./REL