Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh sot se stadiumi i ri i Vlorës do të jetë një qendër e re për qytetin.

 

Gjatë prezantimit të 3 projekteve finaliste për projektin e stadiumit të Vlorës, Kushi vlerësoi se “Flamurtari” edhe në arenën ndërkombëtare ka patur arritje të spikatura.

 

“Do të veçoja sezonin e vitit 1987-1988 kur ‘Flamurtari’ u seleksionua në çerekfinalen e UEFA-s, madje arriti të fitonte edhe me Barcelonën. Kanë qenë golat e Kushtës, Vasil Rucit, por edhe shumë sportistë të tjerë që e kanë bërë krenar jo vetëm Vlorën, por të gjithë kombin shqiptar”, kujtoi Kushi.

 

Kushi u shpreh se i detyrohemi ‘Flamurtarit’, që ky shkëlqim të rikthehet, që tradita të vazhdojë dhe të përcillet brez pas brezi, por po ashtu i detyrohemi edhe Vlorës.

 

“Vlora tashmë është një qytet evropian. Është një destinacion turistik i preferuar nga turistë nga shumë vende jo vetëm të Evropës, por edhe të botës. Është një destinacion për bukuritë natyrore për vlerat qe ka, por natyrisht edhe për investimet madhore në çdo fushë”, tha ajo.

 

Kushi vlerësoi projektin e Lungomares, të qendrës historike të qytetit, ndërsa shtoi se nuk duhet të mungojë edhe një stadium i standardeve bashkëkohore.

 

“Prandaj ne sot jemi këtu, për këtë konkurs ndërkombëtar, për të zgjedhur jo thjesht projektin e një stadiumi, por një qendre të re për Vlorën. Një qendër që do të ketë jetë 24 orë të ditës të 7 ditë të javës. Një qendër ku do të ndërthuren jeta sportive, por edhe artistike, kulturore, edukative dhe tregtare padyshim”, tha ajo.

 

Kushi shprehu besimin se pozicioni strategjik, vendndodhja e stadiumit është kaq e përshtatshme për të bërë më të mirën. “Besoj se në këtë 100-vjetor nuk mund të ketë dhuratë më të mirë për Vlorës sa një projekt i tillë”, tha ajo.