Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se në vitin 2030 Shqipëria do të jetë kampione e Ballkanit në turizëm, gjë që sipas tij, “do të mundësojë rritjen ekonomike”.

 

Në një takim me përfaqësues të biznesit në Durrës, Rama u shpreh se “punëtori është prioriteti numër 1 i qeverisë sonë”.

 

“Shqipëria e 2030-ës do të jetë kampione e Ballkanit në turizëm. Problemi ynë që do kemi, është jo te turizmi por te kërkesa e lartë, që nga kërkesat për shtretër deri te kërkesat për çdo detaj në shërbim”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, Kryeministri siguroi se “të ardhurat do të rriten shumë më tepër nga sa janë sot, sepse do të rriten çmimet për turistët e huaj”.

 

Kryeministri theksoi se një nga arsyet pse po zhvillohet industria turistike është për shkak të trajtimit të veçantë, me TVSH të veçantë, më e ulëta në rajon.

 

“Ne konkurrojmë me Greqinë, Italinë, Kroacinë, Malin e Zi ndaj kjo ishte njëra nga gjërat që bëri që ne të kemi mbi 7 milionë turistë, të kemi të ardhura që janë miliarda, të kemi që në muajin mars zyrtarisht 84 % të shtretërve të zënë për periudhën nga maji në shtator”, tha Rama.

 

Por në këtë situatë, ai theksoi se është e papranueshme që hotelet të deklarojnë paga minimale. “E dimë shumë mirë që ju nuk keni punonjës me pagë minimale në hotelet e Durrësit. Është kollaj të bëjmë inspektime dhe gjoba por sipërmarrësit duhet të kuptojnë  se ky është prioritet strategjik kombëtar. Duhet menduar në mënyrë patriotike. Kemi hyrë në kohën e një lufte për ‘mish njeriu'”, tha ai.