Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj dhe njëkohësisht anëtare e Grupit Parlamentar Vullnetar ka marrë pjesë në Konferencën e 8-të Parlamentare Ndërkombëtare për zbatimin e planit të veprimit të ICPD, në Oslo, Norvegji.
Në këtë konferencë morën pjesë mbi 200 parlamentarë nga 120 rajone të botës, përfaqësues nga grupet parlamentare kombëtare, rajonale dhe globale dhe OJQ.
Konferenca shënon 30-vjetorin e Konferencës së Kajros. Konferenca IPCI synon të promovojë dialogun midis parlamentarëve nga të gjitha rajonet e botës mbi zbatimin e Programit të Veprimit të ICPD 1994 dhe është i vetmi mjedis i krijuar posaçërisht për të gjeneruar konsensus politik global rreth të drejtave dhe shëndetit seksual dhe riprodhues të Programit të Veprimit i cili fokusohet gjithashtu në rolin themelor të interesave të grave ne çështjet e popullsisë dhe prezantimin e konceptit të shëndetit seksual dhe riprodhues dhe të drejtave riprodhuese.
Një përkufizim i ri i politikës së popullsisë u avancua duke i dhënë rëndësi shëndetit riprodhues dhe fuqizimit të grave.
Zëvendëskryetarja u prit në një takim nga Florence Bauer, drejtore e përgjithshme e UNFPA për Europën Juglindore.
Gjatë këtij takimi ishin të pranishëm edhe deputetë nga Turqia, Moldavia, Armenia, Azerbajxhani dhe Bosnja.
Ndarja e përvojave në përpjekjet për të rritur aksesin tek shëndeti, të drejtat lidhur me shëndetin riprodhues dhe seksualitetin, mbeten të rëndësishme për sa kohë ti kupton që bota është aq e larmishme dhe zgjidhjet e mira dhe të qëndrueshme po aq.
“Ndryshimet politike dhe demografike janë më të forta se kurrë dhe është ky moment që imponon adoptimin e politikave të reja në respekt të të drejtave themelore”, tha Felaj gjatë këtij takimi./ata