Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka pritur sot në një takim sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL, Jürgen Stock, në të parën vizitë të tij në Shqipëri, vizitë e cila përkon edhe me 100 vjetorin e themelimit të kësaj organizate që lehtëson bashkëpunimin policor ndërkombëtar.

 

Në një postim në rrjetet social, Çuçi bën të ditur se “ndava me të prioritetet kryesore të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, i cili gjithnjë e më shumë po merr trajta transnacionale dhe në këtë kontekst të ri, bashkërendimi gjithnjë e më i mirë i punës mes të gjitha vendeve është rruga e duhur për ta adresuar këtë problem”.

 

Ministri nënvizoi se Policia e Shtetit gëzon sot një nivel të lartë besimi te partnerët tanë dhe është aktualisht në një fazë të re të bashkëpunimit me INTERPOL dhe agjenci të tjera ndërkombëtare duke qenë pjesëmarrëse aktive e me rol drejtues në shumë raste në Skuadra të Përbashkëta Hetimore e Operacionale.

 

Ai e njohu kreun e INTERPOL edhe me hapat që për modernizimin e Policisë së Shtetit përmes investimeve si asnjëherë më parë në teknologji e pajisje dixhitale.

 

“Ne e çmojmë shumë bashkëpunimin me INTERPOL edhe për sfida të tjera të sigurisë globale si terrorizmi dhe krimi kibernetik”, deklaroi ministri i Brendshëm.