Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi sot se, për 13-in vit me radhë përkujtohen 4 Dëshmorët e 21 janarit.

Në fjalën e tij të mbajtur në Kryeministri në përvjetorin e 21 Janarit, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e 4 viktimave të 21 Janarit 2011, Manja u shpreh se, “përkujtojmë sot për të 13-in vit me radhë Dëshmorët e një ngjarjeje që nisi si një reagim popullor kundër korrupsionit dhe rrënimit të shtetit të së drejtës, e cila përfundoi si një ngjarje tragjike bë dyert e kësaj Kryeminsitrie, ku pushteti vrau pabesisht 4 qytetarë të pafajshëm”.

“Që nga ajo ditë e trishtë e 21 janarit, as ju si familjarë dhe as ne si forcë politike nuk kemi ndaluar për asnjë çast së kërkuari drejtësi për viktimat e pafajshme të asaj dhune shtetërore dhe pse ishim të vetëdijshëm që nga një sistem drejtësie i kalbur, i frikësuar deri në palcë nga pushteti i kohës nuk prisnim drejtësinë e vërtetë”, u shpreh Manja.

“Ne si opozitë në atë kohë të pashpresë për shqiptarët u premtuam një drejtësi të re dhe drejtësi të plotë për viktimat e 21 janarit. Kontrata e Edi Ramës dhe PS-së me shqiptarët në vitin 2013 qe jo thjeshtë reformimi, por rithemelimi i një drejtësie të pavarur si guri i themelit për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. E premtuam dhe e bëmë”, tha Manja./ata