Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Itali, ku një 45-vjeçar shqiptar vrau të bijën 16 vjeç dhe një shtetas italian.

 

Sipas informacioneve zyrtare, vrasësi i dyshuar është një 45-vjeçar shqiptar, bukëpjekës, i cili tashmë është ndaluar nga karabinierët.

 

Sipas hetimeve të para, vajza u qëllua pasi ndërhyri për të mbrojtur nënën e saj nga agresioni i babait të saj, i cili donte ta vriste.

 

Motivi i krimit mendohet të ketë qenë një lidhje e dyshuar mes shtetasit italian që ngeli i vdekur dhe gruas së autorit të ngjarjes. Krimi ka ndodhur rreth orës dy të mëngjesit ku bëhet me dije se shtetasi italian është goditur me thikë në shkallët e pallatit në të cilin ndodhej.

 

Më pas 45-vjeçari ka hyrë në shtëpi me qëllimin për të vrarë gruan e tij, por vazja e çiftit ka ndërhyrë për të mbrojtur nënën e saj dhe është vrarë. Gruaja ka arritur të arratiset dhe të lajmërojë policinë.

 

Në momentin që ka arritur policia, ka bllokuar 45-vjeçarin, i cili sipas hetuesve po endej në zonë në kërkim të djalit tjetër pesëvjeçar që kishte me të njëjtën grua.

 

Nga kontrollet policore të bëra në zonën në të cilën ndodhi ngjarja, është gjetur arma e vrasjes, një thikë kuzhine.