Personeli shëndetësor ka marrë pagat e reja me rritjen historike për mjekët specialistë.

 

Mjekët e Spitalit Universitar të Traumës janë shprehur entuziastë për pagat e reja me një rritje me 50 mijë lekë, duke e konsideruar një nga vendimet më të rëndësishme në gjithë këto vite tranzicioni në Shqipëri.

 

Dr. Ilir Hasmuça, kirurg ortoped, SUT tha se, “rritja e pagës është e prekshme për ne dhe e përshëndes vendimin e qeverisë dhe kjo do ketë një impakt të mirë emocional, por dhe financiar për ne”.

 

“Vendimi i qeverisë për rritjen e pagave, na bën që të përkushtohemi akoma më shumë në këtë detyrë fisnike që ne kemi”, tha dr. Rexhina Sturçe, shefe e shërbimit të anestezisë.

 

Dr. Altin Çuçi, mjek anestezist, u shpreh se, “përshëndes vendimin e qeverisë Rama për vlerësimin financiar sidomos në sektor kaq të vështirë siç është dhe shërbimi i anestezisë”.

 

Dr. Bledi Masati kirurg i përgjithshëm, u shpreh se, “është një nga vendimet më të rëndësishme në gjithë këto vite tranzicion në Shqipëri, i cili tashmë është i prekshëm”.

 

“Rritja e pagave është një stimul shumë i madh për gjithë armatën e mjekëve. Falënderoj qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për këtë vlerësim të tij”, tha Dr. Merita Luka, mjeke gastrohepatologe.

 

Dr. Eriol Braholli kirurg i përgjithshëm, u shpreh se, “jemi përballë faktit të rritjes së premtuar të pagës nga kryeministri, e cila është një rritje e prekshme dhe e ndjeshme për të gjithë ne. Kjo na bën gjithashtu të jemi dhe më të motivuar dhe të mos e kemi ndërmend largimin jashtë shtetit, por të të vazhdojmë të kontribuojmë në vendin tonë”.

 

Dr. Vrenos Hodaj, shef i shërbimit në mjekësinë interne tha se, “kam bindje absolute që ky vendim do të shtojë, jo vetëm përkushtimin dhe dëshirën, jo vetëm të brezit tim që dukej si një vendim i pabesueshëm, por që çdo gjë është e mundur kur mundohemi të bëjmë diçka, por edhe për brezin e ri që unë jam i sigurt që do të kenë dëshirë maksimale për të punuar në vendin e tyre”.

 

Nga rritja e pagave, sipas planit, në sektorin e Shëndetësisë përfitojnë mbi 22 mijë mjekë, infermierë, stafe administrative në strukturat shëndetësore. Ka hyrë në fuqi rritja e pagave me 50 mijë leke në muaj për mjekët specialistë si dhe rritja me 7% për mjekët e familjes dhe infermierët. Gjithashtu edhe rritja e pagës me 25-50% për punonjësit e administratës shëndetësore.