Zjarret në Alberta të Kanadasë detyruan afro 30,000 njerëz të evakuohen deri në fund të fundjavës.

 

Zyrtarët thanë të dielën se kishte më shumë se 100 zjarre aktive në provincë dhe rreth një e treta e tyre janë jashtë kontrollit.

 

Sipas menaxherit të njësisë së informacionit për zjarret në Alberta, sipërfaqja e përgjithshme e provincës së djegur këtë vit tani ka kaluar 375,000 hektarë.

 

Colin Blair, drejtor ekzekutiv i agjencisë së menaxhimit të emergjencave thotë se:

 

“Më shumë se 29,000 individë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në vende të sigurta, ndërsa komunitetet e tjera janë nën alarm evakuimi dhe banorët në ato komunitete duhet të përgatiten të evakuohen në një njoftim të shkurtër.”

 

Sipas mediave të huaja deri më tani nuk është raportuar për të plagosur ndërkohë që zjarrfikësit vazhdojnë me evakuimin e qytetarëve.

 

Autoritetet kishin shpallur një gjendje të jashtëzakonshme provinciale të shtunën.

 

Sipas faqes zyrtare të Albertës, 16 komunitete ishin ende nën një “gjendje të jashtëzakonshme lokale” që nga mëngjesi i së dielës.