Kryebashkiakja, njëherësh kandidate për bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me banorë të lagjes 17 për zgjedhjet vendore të 14 majit.

 

Sako ka deklaruar se do të vazhdohet me transformimin e mëtejshëm të Lagjes 17, duke punuar njëkohësisht me programin e rindërtimit, shtimin e hapësirave të gjelbra dhe parkimin publik.

 

Ajo vuri në dukje se gjithë Lagjja 17 dhe zona përballë saj, janë kthyer në një kantier të madh ndërtimi, pjesë e së cilës është linja hekurudhore Durrës-Tiranë, ngritja e godinës për parkimin publik, ndërsa po punohet për parkimin e rezidentëve nëpër lagje.

 

“310 familje do marrin shtëpitë e tyre në përfundim të këtij viti. Do të kemi lidhjen direkte të Tiranës dhe Durrësit me hekurudhën. Projekti i parë publik në qytetin tonë është hapi ynë i radhës”, deklaroi Sako.

 

“Takimet e mia me qytetarët nuk kanë qenë as janë vetëm për fushatë elektorale, por në këto 3 vite, ka qenë një fushatë e pandalshme për të zgjidhur çdo hall e shqetësim të bashkëqyetarëve të mi, sepse edhe nevoja ka qenë po aq e madhe. E kemi parë njëri-tjetrin në sy, në momente të mira dhe të vështira dhe zgjidhjen e kemi gjetur po me njëri-tjetrin. Prandaj dhe me banorët e Lagjes 17 të qytetit, ku kemi realizuar punë të rëndësishme, në infrastrukturë, në rindërtim, në pastrim, në zgjerim hapësirash publike e shërbime jetike për komunitetin”, shprehet Sako.

 

Ajo thekson se “kështu do vazhdojmë, e mua do më shihni prap duke ecur në rrugët e qytetit, duke u marrë me çdo qytetar, për të gjetur zgjidhje edhe aty ku duket më e vështirë. Jemi së bashku në këtë rrugëtim, prandaj dhe kam besim të objektiviteti i bashkëqytetarëve të mi. Për të ecur vetëm përpara, me projektet zhvillimore”.