Pesë persona janë vënë në pranga në Tiranë pasi mashtronin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

 

Sakaq, në kërkim janë shpallur 5 persona të tjerë, pronarë dhe operatorë të subjektit call center në të cilin kryhej kjo veprimtari kriminale.

 

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Devices”. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G.Q., 50 vjeç, B. H., 28 vjeç, A. M., 36 vjeç, S. L., 70 vjeç dhe F. C., 44 vjeç, të pestë banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit e huaj: R. F., D. F., U. F., C. N. dhe F. S. (pronarë dhe operatorë të subjektit call center)”-njofton policia.

 

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit e arrestuar ishin të punësuar në një subjekt call center dhe në bashkëpunim me shtetasit e shpallur në kërkim, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.