Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton sot një ngjarje të 3 shkurtit të vitit 1990, kur shkrimtari Ismail Kadare zhvilloi një takim me Ramiz Alinë, atëherë kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

 

Në qendër të bisedimeve ishte situata kritike e vendit në kapërcyell të viteve ‘90.

 

Konteksti i kohës, në mungesë të demokracisë dhe të mirëqenies ekonomike, do të motivonin kërkesën e shkrimtarit Kadare për azil politik në Francë.

 

DPA sjell letrën që shkrimtari i mirënjohur i drejton kreut të shtetit, Ramiz Alisë, disa muaj pas takimit mes tyre.

 

Mes të tjerash, Kadareja shkruan: “Demokratizimi i plotë i jetës, heqje dorë nga dhuna, lirimi i të burgosurve politikë, heqja dorë nga izolimi i vendit, nga mbrojtja e Stalinit, lejimi i fesë dhe i lirisë së të shprehurit e të tjera si këto, kanë qenë disa nga kërkesat që jua kam paraqitur të formuluara në mënyrë krejtësisht të saktë në pranverë të këtij viti. Ato kanë qenë vazhdimi logjik i asaj që kam shprehur e kam mbrojtur në veprën time gjatë shumë viteve, ashtu siç është i tillë edhe vendimi për të lënë vendin tim”./ATSH