Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) në bashkëpunim me Bashkinë e Delvinës, prezantoi ekspozitën “Delvina në dokumentet e AQSH-së”.

Ekspozita u prezantua me rastin e zhvillimit të Panairit “Traditë, Kulturë, Shije Delvinjote”.

Në çeljen e kësaj ekspozite dokumentare dhe fotografike shfaqur në sheshin “Sulejman Delvina”, qenë të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, kryebashkiaku i Delvinës, Besmir Veli, kryetari i Qarkut Vlorë, Ervis Moçka, dashamirës të historisë dhe qytetarë të shumtë.

Publiku vendas dhe pushues të shumtë sezonalë, patën mundësinë të mësonin mbi historikun e Delvinës dhe veprimtarinë atdhetare të disa prej figurave të rangut lokal. Mes dokumenteve të përzgjedhura, bënin pjesë: Të dhëna nga kërkimet arkeologjike në rang krahinor; Shënime të Imamit Zejnel Hamza rreth kontributit të tij në përhapjen e alfabetit shqip në krahinën e Çamërisë; Të dhënat mbi personalitetet, shkrimtarët, mirëbërësit dhe gratë e shkolluara në rang krahinor; Telegrame nga Himara dhe Vunoi dërguar kryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë H. Delvina, prej të krishterëve të këtyre zonave, që e falënderonin për ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; Njoftime të Kishës Autoqefale për çështje të ndryshme; Pamje nga qyteti Delvinës dhe zonat përreth.

Promovimi i pasurisë dokumentare të kombit është një nga pikërëndesat në veprimtarinë e DPA-së./ata