Vijojnë prej 3-ditësh në Skrapar kërkimet për gjetjen e trupit të 68-vjeçarit, Jules Schuurmans, turistit holandez që e mori rrjedha e lumit mbrëmjen e 8 majit në rrjedhën e kanioneve të lumit Osum. Jules Schuurmans së bashku me bashkëshorten e tij Helma Schuurmans, kishin shkuar për të notuar në kanionet e lumit Osum në Skrapar, por i ka marrë rrjedha e lumit.

 

 

64-vjeçarja Helma Schuurmans ka mundur të dalë nga lumi, ndërsa bashkëshorti i saj nuk ka mundur dot të dalë jashtë. Pasi ka dalë nga uji, 64-vjeçarja Helam Schuurmans ka shkuar në Spitalin e Skraparit, ku edhe ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe ka kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e bashkëshortit të saj. Që prej asaj nate, në zonën e kanioneve, ku edhe ndodhi ngjarja, kanë shkuar shërbimet e policisë, ato të DVP-së Berat si dhe shërbimet zjarrfikëse, që filluan menjëherë kërkimet në lumë, kërkime që u ndërprenë atë natë rreth orës 23:30,për shkak të errësirës.

 

 

Që prej mëngjesit të djeshëm, në kanionet e Osumit në Skrapar kanë mbërritur palombarët e Repartit Special “RENEA”, të cilët po kërkojnë në ujërat e lumit trupin e turistit holandez. Edhe pse kërkimet e polombarëve kanë vijuar pa ndërprerje deri në orët e vona të mbrëmjes, trupi i 68-vjeçarit Jules Schuurmans nuk është gjetur ende. Burimet zyrtare policore bëjnë me dije se çifti i bashkëshortëve Jules dhe Helma Schuurmans, kishin 4-ditë që kishin shkuar në Skrapar dhe qëndronin në një Kamper. Të njëjtat burime konfirmojnë se 64-vjeçarja Helma Schuurmans ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.