Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ftoi sot qytetarët shqiptarë të përmbushin detyrimin e tyre kushtetues e patriotik për të shprehur me votë vullnetin e tyre të lirë në 14 maj.

 

Meta tha se, “shqiptarët duhet të kuptojnë se abstenimi nuk është zgjidhje, përkundrazi është ndihma më e madhe që i jepet një bande që të vazhdojë të plaçkisë Shqipërinë dhe të zhysë vendin në borxhe gjithnjë e më të thella, të cilat do t’i paguajnë gjeneratat e ardhshme”.

 

Sipas tij, “të gjithë duhen bërë pjesë e ndryshimit”.

 

“Edhe tre ditë na ndajnë nga një ditë historike për rikthimin e pluralizmit politik në vend, për shembjen njëherë e përgjithmonë të monizmit në pushtetin vendor absolut, por njëkohësisht edhe të rikthimit të llogaridhënies, jo vetëm në nivel vendor, por në të gjitha nivelet”, tha Meta.

 

Sipas tij, “Edi Rama është i tmerruar, pasi e ka shumë të qartë bilancin e tij katastrofik edhe të kukullave që i ka paraqitur me imponim qytetarëve shqiptarë në të gjitha bashkitë e Shqipërisë”.

 

“Kjo e detyron të bëjë thirrje për një pjesëmarrje sa më të ulët në zgjedhje, e sidomos t’i drejtohet demokratëve dhe opozitarëve që t’ia fusin gjumit në 14 maj, ashtu siç edhe ai deklaroi dje nga Kavaja. Po si mund të flenë gjumë, jo vetëm demokratët, jo vetëm opozitarët, por gjithë shqiptarët e ndershëm, kur kanë shumicën e fëmijëve jashtë vendit dhe kur ata që kanë këtu, për shkak të pamundësive, për shkak të pasigurisë, për shkak të mungesës së mbështetjes së kësaj qeverie, edhe ata duan të largohen nga vendi, sepse nuk duan të përfundojnë patronazhistë”, tha Meta.

 

Ai tha se, nuk do të ketë gjumë në këto 3-4 ditë.

 

“Madje edhe natën do ta bëjmë ditë së bashku edhe më të gjithë socialistët e ndershëm që kanë qenë dhe viktima e parë e uzurpimit të vulës së asaj partie, pra të Partisë Socialiste, nga një sekt që përmes asaj vule ka plaçiktur Shqipërinë për 10 vite me radhë, duke i sjellë vendit dëme të jashtëzakonshme”, shtoi Meta/AA