Vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i është drejtuar me një letër Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, drejtuesit të SPAK, Altin Dumani si edhe Drejtorit të Përgjithshëm të policisë, Muhamet Rrumbullaku.
Me anë të letrës, Celibashi kërkon koordinimin e punës për të paralajmëruar dhe evidentuar veprat penale që mund të ndodhin ditën e zgjedhjeve deri në përfundim të procesit të numërimit të votave.
Ndër të tjera ai thekson se duhet të caktohen dhe të njihen reciprokisht kontaktet përkatëse, të posaçme, pritëse dhe dërguese të informacioneve të rastit deri në përfundim të zgjedhjeve.
“Në njohje dhe respektim të kompetencës dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej institucioneve që ju drejtoni si edhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj nevojën për të koordinuar ushtrimin e këtyre përgjegjësive me qëllim parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve në mënyrë efikase, më së paku në raport me kohën.
Kjo, për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023. Mbi sa më lart, rekomandojmë të caktohen dhe të njihen reciprokisht kontaktet përkatëse, të posaçme, pritëse dhe dërguese të informacioneve të rastit. Kjo veçanërisht për periudhën nga sot deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave“, shkruhet në letër.