Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur komisionerit Oliver Varhely i cili në Parlamentin Europian tha se draft statuti i paraqitur nga ekipi menaxhues duhet të jetë pikënisja për asociacionin.

 

Sipas presidentes Osmani, projekt statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i paraqitur nga Ekipi Menaxhues javën e kaluar në Bruksel, është model për një Republikë Serbe dhe dëshmon se Serbia nuk shqetësohet për të drejtat e pakicave, por që të ketë një instrument nëpërmjet të cilit do të sfidonte sovranitetin, tërësinë tokësore dhe shtetësinë e Kosovës.

 

“Pika fillestare duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës. Jo një propozim nga Serbia që synon krijimin e një Republike të Milorad Dodikut apo edhe më keq në rajonin tonë dhe të na kthej prapa në vitet e 90-ta. Kjo duhet të refuzohet njëzëshëm si një model jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe jo të shihet si bazë për bisedime”, tha presidentja Osmani, duke ju referuar vlerësimeve të zyrtarëve evropianë se projekt statuti është një pikënisje për diskutimet e ardhshme rreth kësaj çështjeje.

 

Presidentja Osmani, e cila po qëndron për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, tha në një bashkëbisedim me bashkëpunëtoren e Këshillit të Atlantikut, Ilva Tare, se përpjekjet për ta bërë Asociacionin më të rëndësishëm sesa marrëveshjet tjera të arritura në bisedimet me Serbinë, “është një rrugë shumë e rrezikshme për të ardhmen e dialogut. Ne nuk duhet të biem në kurthin e (Aleksandar) Vuçiçit, që nënkupton vetëm vonesa dhe zvarritje të procesit”.