Një grua e moshës 80-vjeçare është përplasur nga një motoçikletë policie që shoqëronte eskortën e Dukeshës së Edinburgut.
E moshuara ndodhet në gjendje kritike për jetën, ndërkohë që për rastin ka reaguar dhe vetë Pallati Mbretëror.
Sophie, Dukesha e Edinburgut, ka thënë se “mendimet dhe lutjet” e saj janë për gruan e lënduar e cila ndodhet në luftë me jetën.
Në një deklaratë, Buckingham Palace tha: “Mendimet dhe lutjet e përzemërta të Dukeshës janë me zonjën e plagosur dhe familjen e saj.
Ajo është mirënjohëse për reagimin e shpejtë nga shërbimet e urgjencës dhe do të jetë në dijeni të zhvillimeve.
Komente të mëtejshme në këtë moment nuk do të ishin të përshtatshme përderisa incidenti është duke u hetuar.”
Dukesha, e cila është e martuar me Eduardin, Dukën e Edinburgut, po shoqërohej nga motorët e forcave policore kur përplasja ndodhi rreth orës 15:21 të së mërkurës në kryqëzimin e rrugës Cromëell dhe Warwick Road në perëndim të Londrës.
Shërbimi i Ambulancës së Londrës dhe Ambulanca Ajrore e Londrës shkuan me urgjencë në vendin e ngjarjes dhe gruaja u dërgua në spital.
“Ajo mbetet atje në një gjendje kritike. Familja e saj është informuar. Nuk ka raportime për të lënduar të tjerë”, tha policia në një deklaratë mëngjesin e kësaj të enjteje.