Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur sot me ceremoni shtetërore, Presidentin e Republikës së Polonisë,  Andrzej Duda, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

 

Gjatë një konference për shtyp me homologun e Polonisë, Begaj tha se në fjalën e tij se Shqipëria dhe Polonia janë dy vende me marrëdhënie shumë të mira, e ndërsa vlerësoi bashkëpunimin në fushën e turizmit, arsimit dhe mbrojtjes.

 

Ai ka falenderuar presidentin Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të Nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë Covid-19.

 

Ndër të tjera, presidenti Begaj ka shprehur mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe stabilitetin për Ballkanin e Hapur.

 

 “Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira politike e tradicionalisht miqësore të rikonfirmuara edhe përmes kësaj vizite të mikut Duda në Tiranë. I shpreha mirënjohjen Presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të Nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë Covid-19.

 

Me homologun Duda u ndalëm tek bashkëpunimi ekonomik e tregtar i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor është larg mundësive të dy vendeve. Vlerësuam bashkëpunimin në fushën e turizmit ku një kontribut të madh kanë dhënë lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë. Si dy vende anëtare të NATO-S Shqipëria dhe Polonia kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e mbrojtjes në nivel strategjik dhe operacional. Vlerësuam gjithashtu bashkëpunim shumë të mirë në fushën e arsimit dhe shkencës si aspekt tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve dypalëshe.

 

Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë ku shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë. Shpreha mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perëndimor. Vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemin e vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kërkova mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO”, u shpreh Begaj