Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cilësoi aferë korruptive, projektin e ujësjellësit të Memaliajt, ndërsa i kërkoi SPAK-ut nisjen e hetimeve dhe KLSH-së auditim.
“Në prill 2021, Edi Rama u shfaq në Memaliaj për të inauguruar hapjen e punimeve për Ujësjellësin. Kanë kaluar 2 vite nga inaugurimi dhe ujësjellës nuk ka. E lanë t’u ikte edhe rasti i fushatës elektorale për vendoret, gjë që, Edi Rama dhe rilindasit përgjithësisht, nuk ia lejojnë vetes. Ata kanë një shirit më pak për të prerë në këtë fushatë, sepse ujësjellësi është premtuar, por afera korruptive e Gjolek Gucit e ka penguar”, u shpreh ajo, në një deklaratë në medie.
Sipas saj, historia, nis më 8 shkurt 2021, kur u shpall tenderi për ndërtimin e Ujësjellësit Memaliaj, me fond limit 41 milionë euro dhe me kohëzgjatje kontratë 24 mujore.
“Mosmbajtja e premtimit nuk është harresë: është aferë e pastër korruptive e krerëve të bashkisë. Projektues i ujësjellësit ishte shoqëria “Artreum Generation” sh.p.k. Mos e harroni këtë emër, sepse është kyç në këtë aferë. Disa punonjës të Bashkisë Memaliaj refuzojnë të firmosin dhe tenderi i kalohet kompanive të tjera. Kështu, kompania “KEG” sh.p.k dhe “ED KONSTRUKSION” shpk, fitojnë kontratën për ndërtimin e Ujësjellësit të Memaliaj, në vlerën 4.2 milionë euro. Por Gjoleka nuk mjaftohet dhe miraton dhe një nënkontraktor, i cili do të kryejë 40% të volumit të ndërtimit. Këtu rikthehemi te kompania “Artreum Generation” sh.p.k, e cila u fut në tender për të marrë 1.7 milionë euro. Nga një verifikim i dokumentacionit të kompanive, rezulton se “Artreum Generation” sh.p.k ka pronar Lorenc Bamin, i cili është Drejtori i Urbanistikës në Bashkine Tepelenë”, tha Vokshi.
Ajo u bëri thirrje SPAK-ut dhe KLSH të hetojnë dhe auditojnë.
“Po SPAK çfarë pret? Ftojmë KLSH të hapë një audit urgjent mbi këtë aferë. Ka të paktën dy çështje që vihen re lehtësisht dhe pa pasur nevojë për ekspertizë të thelluar. Afati i punimeve nuk është respektuar, por tejkaluar, dhe përfitues direkt i tenderit është kompania e një drejtori të bashkisë fqinje të Tepelenës”, u shpreh Vokshi.