Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, i cilësoi sot zgjedhjet vendore të 14 majit si një tregues për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

 

“Zgjedhjet vendore ditën e diel janë, jo vetëm një gur kilometrazhi i rëndësishëm për vetë Shqipërinë, por edhe një tregues për progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Zingraf, nëpërmjet një deklarate për mediet.

 

“Me votën tuaj ju mund t’i jepni formë të ardhmes së Shqipërisë dhe të forconi më tej demokracinë e saj. Për këtë qëllim zgjedhjet duhet të jenë të drejta dhe transparente, kjo përbën bazën e demokracisë”, iu drejtua ai qytetarëve.

 

Zingraf dha një mesazh edhe për të rinjtë në këto votime, ku u shpreh se ata duhet ta japin votën e tyre me integritet dhe të refuzojnë manipulimet.

 

“Dua t’u them në mënyrë të veçantë të rinjve në vend: Informohuni, shkoni në zgjedhje, merrni pjesë në procesin demokratik, jepuani votën tuaj kandidatëve me integritet, refuzoni të gjitha përpjekjet për manipulim dhe mungesë transparence”, apeloi ambasadori.

 

Ai tha se, Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë Shqipërinë si një partner i fuqishëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.