Kryetari i qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi ka folur për zgjedhjet e 14 majit dhe garën për bashkinë e Tiranës, duke theksuar se “Erion Veliaj nuk i ka ndarë qytetarët në të majtë dhe të djathtë”.

 

Në një intervistë televizive duke folur për investimet në kryeqytet, Dalipi deklaroi se në Tiranë janë bërë 43 shkolla të reja, 7 kopshte dhe 4 çerdhe me standardet e Bashkimit Europian.

 

Ai u ndal edhe te projekti për lagjen e re te “5 Maji” duke theksuar se Veliaj ka marrë vendime edhe për atë pjesë të qytetarëve që nuk ka qenë e përfaqësuar.

 

“Në Tiranë janë bërë 43 shkolla të reja që është një shifër e jashtëzakonshme sipas standardeve më të mira të BE. Janë ndërtuar 7 kopshte dhe 4 çerdhe të reja. Veliaj atë që e ka thënë e ka bërë. Projekti i 5 Majit është një projekt zhvillimor. Tirana është qendra e zhvillimit ekonomik të vendit. Shifrat janë shumë domethënëse. Tirana është model i të ardhmes dhe këtë model ne do ta vazhdojmë”, nënvizoi Dalipi.

 

Kryetari i qarkut u shpreh se “nuk të pranon njeri të jesh kryeqyteti i rinisë pa përmbushur disa standarde. Sot është qyteti i sporteve. Sot Tirana ka standarde shumë më të mira në transportin urban. Ka një plan shumë të mirë që do të vazhdojë. Besoj do të kemi rezultate konkrete. Sot në Tiranë kemi më shumë korsi biçikletash që nuk i kemi pasur përpara. Ne duhet të jemi të qartë. Kjo gjë nuk do të ndalet”.

 

“Tirana është shumë ndryshe nga ajo që ka qenë”, tha ai.