Arrestimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri ka shkaktuar bujë jo vetëm në vend, por edhe në rajon.
Gjyqi për Belerin do te mbahet ditën e sotme, në orën 11:30. Beleri akuzohet për shit-blerjet votash, për zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër.
Beleri është arrestuar pak pas mesnate para lokalit të tij bashkë me një person tjetër. Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të SPAK. Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla, si blerja e votave.
Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues.
Në përfundim të hetimeve, në pranga kanë rënë Dhionisios Beleri alias Alfred Beleri, 51 vjeç, dhe Pandeli Kokaveshi, 44 vjeç, për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.