Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka dhënë një deklaratë për mediat, teksa pritet të jepet masa e sigurisë për Fredi Belerin kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Himarën.

 

Dule e ka cilësuar një proces parodi arrestimin e Belerit dhe ka thënë se nuk ka asnjë arsye, juridike, politike apo njerëzore që Fredi Beleri të qendrojë i arrestuar.

 

Më tej ai hodhui akuza duke thënë se vendimi për arrestimin e Belerit ishte i paralajmëruar duke theksuar se qëllimi është të rrëmbehet përfaqësimi i Himarës.

 

“Nuk ka arsye juridike politike dhe njerëzore që zoti Fredi Beleri dhe zoti Pandeli Kokaveshi të qëndrojnë qoftë edhe një sekondë më tepër të ndaluar.

 

E kërkon logjika që të lirohen menjëherë. Ishte një vendim i paralajmëruar që pasi u ekzekutua vendimi i paralajmëruar u përpoqën të krijojnë kushtet edhe faktet. Kemi një proces parodi.

 

Qëllimi është një dhe i vetëm të rrëmbejnë sërish përfaqësimin politik të bashkisë së Himarës. Vendimet e gjykatave çdo qytetar ka të drejtë t’i kontestojë. Kur humbet logjika merre me mend ç’shpresë mund të ketë”,-tha Vangjel Dule.

 

Dule ishte i pranishëm në Gjykatën e Vlorës ku po mbahet edhe seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj kandiatit të “Bashkë fitojmë”, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve vendore.