Shqipëria për herë të parë do të mirëpresë zhvillimin e Asamblesë Plenare të 22-të të Rrjetit Mesdhetar të Autoriteteve Rregullatore.

 

Takimi do të zhvillohet në shtator të këtij viti dhe do të diskutojë mbi disa çështje dhe sfida, të cilat prekin median dhe autoritetet rregullatore.

 

Në Autoritetin e Mediave Audiovizive u zhvillua takimi i Komitetit Teknik, në të cilin u diskutua agjenda e këtij takimi.

 

Mbledhja u fokusua kryesisht në çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin e Video Sharing Platforms, Aktin Europian për Lirinë e Medias (EMFA), gazetarinë kualitative dhe fact-checking, çështjet e barazisë gjinore, edukimi mediatik dhe dokumentet udhëzues të UNESCO.

 

Kryetarja e Autoritetit, Armela Krasniqi në cilësinë e zëvendëspresidentes së MNRA-së, vlerësoi këtë takim dhe punën që bën ky organizëm, si shumë të rëndësishëm pasi sfidat dhe çështjet me të cilat përballet mjedisi mediatik dhe veçanërisht institucionet rregullatore janë sa të përbashkëta aq dhe specifike.

 

“Në këtë drejtim ka nevojë gjithmonë për të rritur bashkëpunimin ndërmjet nesh dhe për të shkëmbyer qëndrime dhe praktika, të cilat kontribuojnë në zgjidhjen e çështjeve që na prekin të gjithëve”, tha Krasniqi.

 

Në takim morën pjesë përfaqësues të Autoritetit Rregullator Francez (ARCOM), Marokut (HACA), Kroat (AEM), Spanjoll (CAC), Grek (NCRTV), Portugez (ERC) dhe Italian (AGCOM).