Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas humbjes së thellë të opozitës në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Meta shkruan se zgjedhjet vendore të 14 Majit u asgjësuan që pa filluar, duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, dhe duke hequr komisionerët.

 

“Narkozgjedhjet e narkoshtetit! Zgjedhjet vendore të 14 Majit në Shqipëri u asgjësuan që pa filluar. Duke mos e regjistruar opozitën në mënyrë të paligjshme, duke hequr komisionerët dhe numëruesit e opozitës. Duke përdorur tatimorët për presion ndaj çdo biznesi, duke kërcënuar votuesit e opozitës me gojën e kryeministrit, për pasojat që do të kishin nëse votonin për opozitën”-shkruan Meta.

 

Më tej kreu i PL, identifikon problematikat në ditën e zgjedhjeve.

 

“Por zgjedhjet u asgjësuan edhe ditën e zgjedhjeve, me zhbërjen e elementit themelor të sigurisë në zgjedhje, që ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve, duke i kthyer qendrat e votimit në vende ku u dhunua hapur ligji dhe ku u ushtrua presion i pashembullt duke u mbushur me qindra drejtorë ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë bashkie, administratorë komunash e nëpunësa gjithfarësh, përfshirë dhe policë e banditë. E gjithë kjo me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe te narkotrafikantëve, që fatkeqësisht u bënë njësh me Policinë e Shtetit. Shqiptarët dhanë një mesazh shumë të rëndësishëm guximi duke marrë pjesë ne këto zgjedhje dhe duke u përballur me presionin mafioz të narkoshtetit. Narkozgjedhjet i nxorrën në shesh hapur të gjithë narkomanipuluesit e qeverisë, të cilët janë të evidentuar me emër dhe mbiemër. Çdo veprim i tyre është evidentuar dhe mijëra fakte rëndojnë mbi ta. Euro humbi 10% të vlerës, aq shumë është përdorur ajo për të influencuar votuesit. Populli shqiptar është shumë më i madh se sa narkoqeveria dhe Demokracia e Ndryshimi që ai meriton, është i pashmangshëm. Asnjë narkozgjedhje nuk mund të mbajë peng lirinë dhe të ardhmen e shqiptarëve”-shkruan Meta.