Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediet nga selia e “Rithemelimit”, pas drejtimit për herë të parë të mbledhjes nga kjo seli që prej ndarjes së PD, u shpreh se bashkimi i grupimit të tij dhe atij të “Rithemelimit” është realizuar duke ruajtur secili qëndrimet e veta.
Sipas Bardhit, Partia Demokratike është përballur me një diversion antidemokratik.
“Këto dy vitet e fundit, ne hymë në një rrugë që solli mosbesim, konflikt, përçarje mes demokratëve. Zgjatja e asaj situate vuri në pikëpyetje vetë ekzistencën e partisë. Kjo situatë mes nesh, e paprecedentë në llojin e vet, po ndodhte ndërsa Shqipëria humbte çdo ditë nga një tullë në themelet e brishta të demokracisë dhe pluralizmit”, tha Bardhi.
“Vendi nuk e kishte dhe nuk e ka luksin të humbasë edhe opozitën, prandaj prej më shumë se një viti së bashku me shumë kolegë brenda grupit parlamentar kemi bërë përpjekje të sinqerta, ndonjëherë edhe me kosto personale, për t’iu rikthyer demokratëve shpresën tek partia e vet, tek Partia Demokratike”, shtoi ai.
Sipas Bardhit, “shumë do të donin që gjërat të mos kishin shkuar keq mes ne demokratëve, shumë të tjerë do të donin që bashkimi të kishte ndodhur më shpejt. Megjithatë, jam i bindur se sot, kur grupi parlamentar kthehet i bashkuar në shtëpinë e vet, kjo është një ditë e mirë për demokratët, për opozitën, për Shqipërinë”.
Bardhi e cilësoi bashkimin forcë dhe jo dobësi. Ai tha se nuk duhet të ketë më përçarje.
“Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e nesërme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet çdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë. Prania jonë sot këtu do të thotë mirëkuptim, respekt për mendimin ndryshe. Ne jemi të bashkuar në diversitet, duke ruajtur secili qëndrimet tona, sepse ne kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa nga ato që na kanë ndarë deri dje”, tha Bardhi.
“Partia Demokratike është partia më properëndimore se çdo forcë tjetër politike në vend. Ne besojmë tek aleatët tanë strategjikë. Ne besojmë gjithashtu, se Shqipërisë i duhet një drejtësi e pavarur, pa ndërhyrje politike, por ne duhet të theksojmë me forcë se ne nuk jemi në luftë me drejtësinë! Do ta mbështesim dhe nxisim atë pa komplekse që të zbatojë ligjin, por edhe do të themi të vërtetën para shqiptarëve sa herë që do të konstatojmë se peshorja e drejtësisë disbalancohet nga ndërhyrjet politike”, tha kreu i grupit parlamentar të PD./ata