Ish-kryeministri, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat, foli për shit-blerjeve të votave dhe për presion të ushtruar ndaj votuesve në zgjedhjet e 14 Majit.

 

Berisha tha se PD disponon qindra fakte dhe dokumente që kryeministri Rama ndërhyri për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

 

“Rama-Doshi-Brava shëmtia më e madhe në këtë proces zgjedhor. Siç konstaton me të drejtë, raporti i vëzhguesve, blerja e votës ishte një akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve dhe numëruesve të opozitës së vërtetë, koalicionit Bashkë Fitojmë që kishte 61 kandidatë, ishte një akt tjetër pabarazie të madhe. Dhuna, terrori ndaj eksponentëve të opozitës është përdorur gjerë në pengmarrjen e tyre. Të gjitha këto janë 2 konkluzione kryesore: E para, Edi Rama është një armik i egër i përbetuar i votës së shqiptarëve, e dyta janë një apel, një kushtrim për mbarë popullin opozitar, për çdo shqiptar që beson se shteti ligjor, se barazia para ligjit, se të gjitha liritë e të drejtat e tjera të qytetarit, funksionojnë vetëm në rast se shoqëria voton e lirë. Të gjithë ata që shohin vendin e tyre të shkretohet me shpejtësi, të gjithë ata të cilët të dëshpëruar nga kjo maskaradë zgjedhore po bëjnë gati valixhet të ikin nga Shqipëria, janë të ftuar të qëndrojnë fuqishëm, për të rivendosur me çdo kusht, të drejtën e lirë të votës së shqiptarëve”.

 

“PD ka në disponim me qindra fakte, dokumente, me të cilat Edi Rama ka ndërhyrë dhe ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Ka me dhjetëra padi në organe të cilat janë kryekëput vegla të partisë shtet. PD do paraqesë një raport shumë serioz pranë të gjitha autoriteteve që vëzhguan zgjedhjet në Shqipëri dhe kancelarive të SHBA dhe BE dhe vendeve mike për të faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme dhunimin masiv, shkelmimin masiv, të të drejtës dhe të rezultatit të këtyre zgjedhjeve”-tha Berisha.