Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Dubai ku mori pjesë në panelin e Samitit Botëror të Qeverisjes mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave aktuale me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.

Duke folur për sigurinë kibernetike, Rama u shpreh se, “ne po punojmë me dy nga burimet më të mëdha të dijes dhe të teknologjisë të kohës sonë, me Microsoft-in dhe Oracle dhe po përpiqemi që të marrim më të mirën e njërit dhe tjetrit”.

“Duke qenë jemi përballur me një sulm mjaft masiv nga Irani, ca kohë më parë, e duke qenë një objektiv i përhershëm i sulmeve kibernetike nga Irani, ne e dimë jo vetëm logjikisht, por edhe e dimë në lëkurë sesa e rëndësishme është të kemi të dhëna të sigurta”, tha Rama.

“Duke hyrë në një re të konceptuar të formatit të Oracle, është një arsye tjetër e rëndësishme, për të pasur siguri dhe paprekshmëri të të dhënave në një re që është konceptuar për ty dhe që është vetëm reja e Shqipërisë. Kjo është diçka në zhvillim e sipër, në shkallë mjaft të gjerë në botën e Oracle”, u shpreh Rama.

“Ndërkohë që me Microsoftin po punojmë për zgjidhjet e inteligjencës artificiale për të cilat jemi shumë optimistë që do të na japin një nxitje mjaft të madhe për ta ndjerë të ardhmen shumë më pranë sesa sot”, tha Rama.

I pyetur sesa e vështirë është që ta fusësh teknologjinë në sistemin e Shqipërisë, Rama tha se, “mendoj se është më e vështirë në Gjermani dhe Britani, sepse vendet e mëdha, vendet e zhvilluara kanë po kështu makineri burokratike shumë të zhvilluara, të cilat janë ndërtuar në kohë të tjera dhe janë si anije të stërmëdha, të cilat duhet të marrin kthesën, ndërkohë që e jona është vetëm një varkë e vogël. Dhe të hidhesh nga kjo varkë e të marrësh si mundësi teknologjinë e re, është bekim. Natyrisht kemi rezistencë, por është më së tepërmi rezistenca e dembelisë së burokracisë. Por në anën tjetër ne mund t’i bëjmë të gjitha këto gjëra sepse nuk na duhet që të largojmë male, të vendosura aty, por thjesht na duhet të vrapojmë e të vrapojmë përpara. Kështu që nuk e shoh këtë si një prej sfidave kryesore”./ata