Drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Erion Veliaj ka falenderuar të gjithë qytetarët, të cilët kanë mbështetur Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj.

 

Duke folur në një intervistë televizive, Veliaj siguroi se është i vendosur që të punojë dhe të ecë përpara pa i ndarë njerëzit sipas bindjeve politike.

 

“Ishte një rezultat shumë i mirë, në fakt përtej pritshmërive. Sigurisht, ky nuk është një pretekst apo një argument për vetëkënaqësi sepse unë besoj se duhet të dëgjojmë edhe mesazhin e pakicës dhe të sigurohemi që vazhdojmë të komunikojmë, vazhdojmë të punojmë. Po Tirana na dha një mbështetje të jashtëzakonshme. Unë e konsideroj veten të privilegjuar dhe të bekuar, nderin e jetës time të vazhdoj t’i shërbej këtij qyteti. Fakti që mbas gjithë këtyre debateve Tirana ka vendosur që të ecë përpara. Ndjehem sot shumë shumë i përulur. Edhe njëherë rezultati është mbresëlënës, por nuk është arsye për eufori, por është arsye për t’iu kthyer punës me mëngë të përveshura”, deklaroi Veliaj.

 

Gjithashtu Veliaj foli dhe për humbjen e opozitës ku tha se, Sali Berisha dhe Ilir Meta bashkë morën më pak vota në Tiranën e madhe se Lul Basha në 2011 kur Bashkia mbulonte me pak territor dhe ishte vetëm 42 km2.

 

“Lul Basha në 2011, në një Tiranë më të vogël, mori 125 mijë vota, ndërkohë që Partia Demokratike sot, edhe e bashkuar me LSI-në, në një Tiranë që është më e madhe, mezi kapi 100 mijë vota. Kështu që, nëse do lexohej qartë edhe nga partia e militantëve, edhe paramilitarëve mediatikë, por edhe nga forcat politike, ky mesazh vlen për të tre, për të majtën, për të djathtën dhe për gjithologët”, theksoi Veliaj.

 

Veliaj u ndal dhe për ndarjen e votave për Këshillin Bashkiak ku theksoi se, Ilir Meta ishte në këto zgjedhje si “kali i Trojës”, që përdori Belind Këlliçin dhe PD-në për të futur njerëzit e tij në Këshillin Bashkiak.

 

“Më bëhet qejfi që në Këshill Bashkiak do të ketë edhe parti përtej kandidatëve që ishin në listën e kandidatëve për kryetar bashkie. Vërtet ne ishim 6, por vetëm 2-3 janë njerëz të Belindit në listat e Këshillit Bashkiak. Shumica dërrmuese janë njerëz të Ilir Metës. Shoh që mund të ketë më shumë vullnet te doktor Alimehmeti apo të tjerë që duan ta çojnë Tiranën vetëm përpara, në kuptimin e mirë të fjalës, jo prej sloganit tonë, se sa njerëzit e Metës, te ciket thjesht përdorën Belindin dhe PD-në, ose ç’ka ngelur nga PD, si një nëndetëse, si një “kalë Troje” për të futur njerëz në Këshill Bashkiak, sepse ndryshe nuk do të kishin asnjë shans”, deklaroi Veliaj.