Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të votojë kundër aktit normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit 2024. Vendimi është bërë me dije këtë të mërkurë nga Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD, pas mbledhjes së grupit të selisë blu.

Bardhi tha se ky akt normativ në buxhetin e shtetit nuk synon mbështetjen e kategorive në vështirësi, por alokon një fond prej 400 milionë eurosh për ndërtimin e portit të Durrësit. “Shpreh shqetësimin e grupit tonë parlamentar mbi ndryshimet që priten të miratohen nesër përmes një akti normativ për disa ndryshime në buxhetin e shtetit të vitit 2024”, tha Bardhi.

“Si çdo buxhet i kaluar gjatë qeverisjes së Ramës, edhe në fokus të këtij ndryshimi, por edhe buxhetit fillestar të vitit 2024, nuk janë qytetarët shqiptarë, por një grup individësh, klientë të përhershëm të Edi Ramës, i cili ashtu siç trajton pasuritë publike të këtij vendi, ka vendosur gjatë këtyre 11 viteve keqqeverisje të trajtojë si pronë të tij, si buxhet personal, edhe buxhetin e shtetit. Prej muajsh, biznesi fason në vend ka qenë në vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike. Një pjesë e tyre janë detyruar të mbyllin aktivitetin e tyre ekonomik për shkak të mungesës totale të mbështetjes nga ana e qeverisë”, vijoi Bardhi.

“Në vend që me ndërhyrjet në buxhetin e shtetit qeveria të lehtësonte barrën këtij sektori që mban me bukën e gojës mijëra familje në vend, ka vendosur të bëjë atë që në fakt ka rezultuar në të shkuarën dështim i qeverisë shqiptare, një skemë e garancisë sovrane, që siç treguan dhe dy rastet mëparshme gjatë pandemisë, është jo vetëm e pamjaftueshme, por është dhe e papërshtatshme dhe e papërdorur nga biznesi që është në vështirësi”, tha Bardhi.

“Në vend që të kishte një mbështetje për këtë kategori biznesi që mbanë me bukë mijëra familjarë në të gjithë vendin, kryesisht zonja, në familje që kanë një të ardhur mesatare apo minimale, por ka vendosur të bëjë atë që kishim paralajmëruar që kur kaloi ligji korruptiv dhe klientelist i portit të Durrësit, që të falë portin aktual të Durrësit dhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë, faza e parë 400 milionë euro, të ndërtojë një port të ri. Shqipëria e ka portin, Edi Rama vendos t’ia falë pa garë, pa transparencë një biznesi të përzgjedhur ekskluzivisht prej tij, dhe ndërkohë me paratë e taksapaguesve, në vend që t’u vinte në ndihmë familjeve në nevojë, shtresës së pensionistëve, apo biznesit të vogël, vendos të ndërtojë një port të ri”, tha më tej Bardhi.

Kreu i grupit parlamentar demokrat kujtoi edhe nismën e këtij grupimi parlamentar për rritjen e pensioneve deri në vlerën 300 euro për pensionin minimal./ata