Nisi në Tiranë, Festivali i Teatrit Bashkëkohor (MEDIUMS), një ngjarje kulturore që mbledh artistë trupa teatrore, kuratorë festivalesh e kritikë ndërkombëtare  e kombëtare.

Një festival i tillë e vendos kryeqytetin në kalendarin artistik ndërkombëtar.

Qendra për Hapje e Dialog bëri me dije se, Festivali i Teatrit Bashkëkohor në Tiranë (MEDIUMS) çeli siparin në mjediset e Radurës (COD) me shfaqjen “Të prezantoj Shqipërinë”, që vjen nëpërmjet një monologu magjepsës që përmbledh histori autobiografike, fragmente nga shkrimet e Pier Paolo Pasolinit dhe ripunime autoriale nga Klaus Martini. Një udhëtim personal që na shoqëroi përmes situatash të ndryshme, duke krijuar një lidhje të veçantë mes Friulit të Pasolinit dhe Shqipërisë së Ilirit.

Festivali i Teatrit Bashkëkohor është një platformë që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe interesin për artin teatror në Tiranë përmes shfaqjeve bashkëkohore ndërkombëtare, të nxisë dialog professional, të edukojë audiencën në nivel artistik dhe estetik.

Kjo ngjarje artistike synon të kthehet në një iniciativë të përvitshme dhe me një ndikim afatgjatë në rritjen e audiencës, si dhe në rritjen e numrit të artistëve dhe bashkëpunëtorëve të përfshirë. Festivali do të ofrojë më shumë mundësi për artistët e rinj dhe për qytetarët artdashës./ata