Evidentohet dhe goditet një rast i ndërtimit të paligjshëm, në zonë të mbrojtur, si rezultat i kontrolleve të shtuara nga Policia.

 

Vihet në pranga 49-vjeçari, Gazmir Mediu që po ndërtonte pa leje, një objekt dykatësh, në zonë të mbrojtur, në Ksamil.

 

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat e mbrojtura, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë kontrolleve, kanë evidentuar dhe goditur një rast të ndërtimit të paligjshëm, në zonë të mbrojtur, në Ksamil.

 

Në vijim të veprimeve për këtë rast, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u arrestua shtetasi Gazmir Mediu, 49 vjeç, banues në Dimal, Berat, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi po ndërtonte një objekt dykatësh, pa lejen e organeve kompetente.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit, ndotje të ujërave apo çdolloj krimi tjetër, sepse do të ndëshkohen sipas ligjit.

 

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të krimeve mjedisore apo të çdolloj krimi tjetër, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.