Një shqiptar i burgosur për drejtimin e një shtëpie publike që dyshohet se frekuentohej nga ylli i regbit, Lawrence Dallaglio, i ka shpëtuar deportimit pasi një gjykatës e përshkroi atë si “të zgjuar dhe punëtor”.

 

Bëhet fjalë për Kristian Kodrën, 25 vjeç, i cili është dënuar dy vjet për drejtimin e institucionit kriminal që banda e tij e furnizonte me kokainë dhe prostituta.

 

Banda e tij fitoi të paktën 400,000 £ në gjashtë muaj para se policia t’i bastiste shtëpinë në Holborn, Londrën qendrore, në korrik 2019.

 

Dallaglio, 50 vjeç, baba i martuar i tre fëmijëve, u intervistua me kujdes pasi oficerët zbuluan se ai kishte paguar 10,550 £ për pronarët – duke përfshirë 3,000 £ për Kodrën.

 

Fituesi i Kupës së Botës në Rugby 2003 nuk u arrestua dhe nuk u vërtetua kurrë se për çfarë i kishte paguar paratë.

Eksperti i BT Sport nuk u paraqit ose nuk dha prova gjatë gjyqit gjashtë-javor në Wood Green Crown Court, në veri të Londrës, në mars 2020. Megjithatë, emri i tij dhe shpenzimet e supozuara iu zbuluan jurisë nga prokurorët.

 

Pavarësisht dënimit të Kodrës për administrimin e një shtëpie publike, posedim të pronës kriminale dhe posedim të letërnjoftimeve false, atij i është thënë se mund të qëndrojë në Britani.

 

Gjykatësja Cordella Bart-Steëart tha: “Nuk ka asnjë provë që ai përbën një rrezik për publikun. Ai është një i ri i zgjuar dhe punëtor me potencial për të kontribuar shumë në shoqëri. Ai ka një shtëpi këtu dhe mbështetje. Ai do të mund të punonte. Unë konstatoj se interesi publik nuk kërkon që ankuesi të dëbohet nga Mbretëria e Bashkuar.”

 

Ajo gjithashtu vuri në dukje se ai kishte “hemofili të rëndë” dhe nuk do të kishte akses në të njëjtin nivel trajtimi në Shqipëri, duke ndikuar në jetëgjatësinë e tij.

 

Kodra kërkoi azil në Mbretërinë e Bashkuar kur ishte 15 vjeç dhe iu dha leja e kufizuar për të qëndruar përpara se të apelonte për ta zgjatur atë në 2017. Pas një refuzimi fillestar, atij iu dha leja për 18 muaj të tjerë në korrik 2019, muaji kur u arrestua për drejtimin e shtëpisë publike.