Rrjeti social i mesazheve WhatsApp po punon për të shtuar përditësime të reja në aplikacion dhe sëfundmi ka ardhur me një risi. 

 

Përdoruesit do të lejohen që të editojnë apo modifikojnë mesazhet që kanë dërguar tek personi që po bisedojnë.

 

WhatsApp thotë se mesazhet mund të modifikohen deri në 15 minuta pasi janë dërguar. Më vonë se kaq, ky opsion nuk do të jetë i mundur.

 

Ndërkaq, marrësi i mesazhit do të jetë në dijeni që përmbajtja e mesazhit është redaktuar, por nuk do të shfaqet përmbajtja që ju kishit dërguar më parë.

 

Ky shërbim i ri në WhatsApp ofrohet për të korrigjuar gabime të thjeshta drejtshkrimore në një mesazh të dërguar apo për të shtuar elementë të tjerë në bisedë.

 

Meta njoftoi se ky ndryshim do të bëhet i disponueshëm për të gjithë përdoruesit në javët e ardhshme.