Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se vendi i tij pret identifikimin e menjëhershëm të autorëve të sulmit në Shtëpinë Turke në New York, ndërtesës së vendit të dedikuar për misionet diplomatike dhe aktivitetet kulturore, e vendosur përballë selisë së Kombeve të Bashkuara (OKB).

 

“Sot, një sulm i tmerrshëm u krye kundër Shtëpisë Turke në New York. Ne presim që SHBA-ja të identifikojë menjëherë autorët dhe të sigurojë mbrojtjen e nevojshme për të garantuar sigurinë e misioneve tona diplomatike. Mendimet e mia janë me kolegët e mi që punojnë pa pushim jashtë vendit për Türkiyen, përfshirë edhe në këtë periudhë zgjedhore”, shkroi Çavuşoğlu në twitter.

 

Shtëpia Turke në New York u sulmua gjatë natës në orët e para të ditës së sotme.

 

Konsulli i përgjithshëm në New York, Reyhan Özgür, për Anadolu tha se sulmuesi theu xhamat e ndërtesës në orën 03:14 të mëngjesit me orën lokale. Ai njoftoi se askush nuk u lëndua, por 12 dritare dhe dyert e ndërtesës u dëmtuan.

 

Ai tha se sulmuesi, i cili ende nuk është identifikuar, la një levë të vogël në vendngjarje.

 

Departamenti i Policisë në New York ka nisur një hetim për incidentin.

 

Özgür tha se incidenti nuk ka ndikuar në votimin në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Türkiyes për shtetasit turq në Neë York, të cilët aktualisht po japin votat e tyre në Shtëpinë Turke./AA