Policia e New York-ut (NYPD) publikoi pamjet e të dyshuarit për sulmin ndaj Shtëpisë Turke (Türkevi), raporton Anadolu.
Në pamjet, i dyshuari shihet duke dalë nga metro me një shufër metalike. Policia u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të paraqiten nëse e njohin të dyshuarin.
Ndërtesa e Shtëpisë Turke, ku ndodhet Misioni i Përhershëm i Türkiye-s në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Konsullata e Përgjithshme e këtij vendi në New York, ishte shënjestër e një sulmi mbrëmjen e së dielës.
Anadolu arriti të marrë pamjet e kamerave të sigurimit. Në video shihet një person me rroba të zeza dhe një kapele të zezë që i afrohet ndërtesës me një shufër hekuri në dorë.
Pasi ka kaluar pak kohë pas makinës së parkuar para ndërtesës, sulmuesi papritmas fillon të godasë xhamat e ndërtesës së Shtëpisë Turke. Në video shihet se sulmi është kryer nga një person. Fatmirësisht nga sulmi nuk ka të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale.
SHBA dënuan sulmin ndaj Shtëpisë Turke në New York, duke e cilësuar si vandalizëm.
"Ne dënojmë vandalizmin. Dhuna kundër misioneve diplomatike në SHBA është një krim i dënueshëm", tha dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, në një konferencë për media.