Gjatë ndeshjes së grupeve të Kupës së Botës U-20 FIFA midis Kolumbisë dhe Izraelit, një tifoz kolumbian u ndalua pasi shpalosi flamurin palestinez, transmeton Anadolu.

 

Në deklaratën e Agjencisë për Parandalimin e Dhunës në Sport (APREVIDE) thuhet se tifozi kolumbian Michael Andres Patino Cifuentes, i cili shpalosi flamurin palestinez, u ndalua në ndeshjen e grupeve të Kupës së Botës U-20 të FIFA-s të organizuar nga Argjentina.

 

APREVIDE deklaroi se mbështetësi kolumbian u ndalua me akuzën e "provokimit të mbështetësve kundërshtarë dhe nxitjes së dhunës".

 

Ndërsa ndeshja mes Kolumbisë dhe Izraelit vazhdonte, u ngritën tensione mes tifozit kolumbian, i cili shfaqi flamurin palestinez në tribunën izraelite dhe izraelitëve që iu përgjigjën. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se ka patur një diskutim mes dy palëve.

 

Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka shpërndarë pamjet e ndeshjes në llogarinë e tij në Twitter duke thënë: "Nuk është e ndaluar shpalosja e flamurit palestinez për Kolumbinë".

 

Kolumbia mundi Izraelin 2-1 në ndeshjen e grupit të luajtur në stadiumin "Diego Armando Maradona" në La Plata të Argjentinës.

 

24 shtete po marrin pjesë në Kupën e Botës FIFA U-20, e cila mbahet nga 20 maji deri më 11 qershor.