Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punën për ndërtimin e terreneve sportive dhe mureve rrethuese për shkollat “Mustafa Greblleshi” dhe “Sandër Prosi”, në Njësinë 2.

Ai tha se këto dy shkolla do të kenë të njëjtin nivel si në infrastrukturë, ashtu edhe në mësimdhënie, si me shkollat e tjera të Tiranës. Veliaj u bëri thirrje prindërve që fëmijët t’i regjistrojnë në shkollat afër banesës së tyre.

“Na duhet një punë e jashtëzakonshme me prindërit sepse është vetëm çështje mentaliteti. Duhet punuar që asnjë njësi administrative të mos e shkelë rregullin: Kujt i takon ta regjistrojë fëmijën në shkollat ‘Mustafa Greblleshi’ dhe ‘Sandër Prosi’, sidomos tani që do bëhet edhe terreni sportiv, nuk duhet të shkojë te “Bashkim Fino”. Por, kush është te zona e shkollave ‘Mihal Grameno’ dhe ‘Bashkim Fino’, nëse njëra shkollë është mbushur, do shkojë te tjetra, e cila është me kushte ultra moderne. Ky është një proces i cili kërkon të ndryshojmë edhe këtë ‘infrastrukturën’ 10 centimetra të mendjes sonë, siç do ndryshojmë edhe infrastrukturën 1200 kilometra katrorë të Tiranës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se zhvillimi i kryeqytetit është një proces, që kërkon respektimin e rregullave të urbanizimit, por edhe mirëkuptimin e komunitetit, duke vënë theksin te bashkëpunimi me autoritetet përkatëse.

“E fillojmë punën nga shkollat, si epiqendra e jetës publike, dhe më pas do të duhet të vijojmë të respektojmë rregullat e urbanizimit edhe në pjesët e tjera. Bashkia e Tiranës mundohet të sjellë rregull dhe kur sjell rregull kërkohet bashkëpunim. Sigurisht, bashkëpunimi nga njerëzit është i rëndësishëm, por duhet edhe bashkëpunim nga autoritetet”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku përmendi edhe një sërë projektesh, të cilat janë bllokuar nga vendime në favor të privatit dhe jo të publikut. Sipas tij, zhbllokimi i investimeve publike do të ishte e vetmja mënyrë që Tirana të ecë përpara.

“Për sa kohë që ka gjykatë të shkallës së parë, të shkallës së dytë, ka Gjykatë Apeli, për sa kohë që ka Gjykatë Administrative, për sa kohë që Bashkia e Tiranës ka lënë pushimet dhe është në terren, nuk më vjen mirë kur shoh se si interesi publik nuk mbrohet dhe vazhdojmë me të njëjtat debate si para 7-8 vitesh, kur bashkia nuk merr dot një datë gjyqi për të çliruar një investim. Merren masa bllokimi për shkolla, kopshte, çerdhe, në interes të privatit, kundër publikut. Privati ka të gjitha mundësitë të blejë terrene sportive, të investojë, s’ka nevojë t’ia marrë interesit publik, s’ka nevojë t’ia marrë as çerdhes nr. 37, s’ka nevojë të bllokohet as Kopshti Botanik, s’ka nevojë të qëndrojnë ende ato dy shtëpitë pa leje te Liqeni. U bënë 7 vite, nuk marrim dot një datë gjyqi për Kopshtin Botanik. Pra, kemi plot investime që kanë 7 vite që presim një datë. Kjo nuk funksionon”, tha Veliaj.

Ai kërkoi mbështetjen për të çliruar pronat publike edhe nga zaptimet e fundit, duke theksuar se prioritet janë shkollat, çerdhet dhe kopshtet./ata