Arrestohet në Greqi Laert Haxhiu, autori i masakrës së Lushnjës. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Burime zyrtare bënë me dije se arrestimi ndodhi në Janinë nga Policia greke. 31-vjeçari u kap me leje qëndrimi greke të falsifikuar. Mësohet se identiteti i falsifikuar në lejen e qëndrimit greke është Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.
Haxhiu është dënuar me 18 vite burg për vrasjen e Zamir Latifit e Jurgen Hoxha dhe u plagosjen e Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku. Ngjarja në fjalë ndodhi në Lushnjë në vitin 2017.
NJOFTIMI I POLICISE
Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni policor i koduar “Eksponenti”, për kapjen e një shtetasi të shumëkërkuar ndërkombëtarisht për krime kundër personit.
Falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë të këtij informacioni me homologët grekë, kapet në Janinë, Greqi, dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, një shtetas i dënuar me 18 vjet burgim.
Me leje qendrimi greke të falsifikuar, kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Laert Haxhiu.
Në vijim të punës kërkimore të kryer në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, është finalizuar operacioni policor i koduar “Eksponenti”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Janinë, nga Policia greke është bërë e mundur kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit shqiptar shumë të kërkuar Laert Haxhiu, 31 vjeç, lindur në Lushnjë. Ky shtetas u kap me leje qendrimi greke të falsifikuar, me emrin M. A., 32 vjeç.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar këtë shtetas me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Athinën, me qëllim kryerjen e procedurave për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt vendit tonë. Policia e Shtetit vijon bashkëpunimin e ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale në fusha të ndryshme, si dhe për të shkëmbyer informacion në kohë reale në lidhje me veprimtaritë kriminale ndërkufitare, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave apo grupeve kriminale që ushtrojnë këto veprimtari.