Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj bëri të ditur sot finalizimin e 2 operacioneve të zhvilluara 12 orët e fundit, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe  të vjedhjes të pronës.

 

Në deklaratën për mediet, Vocaj tha se gjatë këtyre 2 operacioneve u evidentua një vilë e përshtatur për kultivim kanabisi, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit cannabis sativa me vlerë rreth 100 000 euro, u sekuestruan 3 armë zjarri, municion luftarak, 1 granatë, si dhe u bë i mundur zbulimi dhe dokumentimi i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës, më konkretisht;

 

Operacioni policor i koduar “Shtëpia jeshile” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale ku u godit një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë në fushën e kultivimit të kanabisit, me anë të llambave, dhe të tregtimit të tij, në qytetin e Tiranës.

 

Vocaj tha se gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit – E. P. alias E. B., 29 vjeç,  A. M., 44 vjeç dhe  G. M., 26 vjeç.

 

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A. M., në Mallkuç, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 61 kilogramë lëndë narkotike kanabis, e paketuar gati për shitje, me vlerë rreth 100 000 euro.

 

Gjithashtu, nga kontrolli u gjetën dhe u sekuestruan pajisje të ndryshme që shërbejnë për kultivimin e kanabisit në ambiente të mbyllura, si: llamba, aspiratorë, ventilatorë, filtra ajrimi etj, një shotgun, municion luftarak, shuma parash, 2 automjete dhe 3 aparate celulare.

 

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit, pasi kultivonin kanabis në banesën e shtetasit A. M., e paketonin dhe më pas e shisnin atë.

 

Vocaj bëri me dije se gjatë operacionit të dytë të koduar “TRINOMI”, të zhvilluar nga ana e strukturave të Komisariatit të Policisë Kavajë, pas një hetimi disamujor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës, gjatë vitit 2022 dhe 2 muajve të parë të vitit 2023.

 

Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre të dënuar më parë për vjedhje, si dhe u sekuestruan sendet e vjedhura. Po gjatë këtij operacioni, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u sekuestruan 2 armë zjarri dhe municion luftarak.