Lidhur me vrasjen e Arian Gosës në Kavajë është arrestuar nga policia, Ervis Kurti, shoku i Habib Rexhës.

 

Klan News raporton se pas shoqërimit nga policia mbrëmjen e djeshme, gjatë orëve të natës i është komunikuar masa e arrestit. Ai akuzohet per përkrahje të autorit të krimit.

 

Kurti është ndaluar pas dyshimeve se ka ndihmuar 31-vjeçarin të largohej pasi kreu vrasjen. Vetë ky i fundit, në dëshminë e dhënë para hetuesve, tha se kishte qenë shoku i tij që e kishte shoqëruar me makinë drejt Kukësit.

 

Habib Rexha në dëshminë e tij raportohet të jetë shprehur se e vrau Arian Gosën nga gjaknxehtësia. Ai është shprehur se e ka parë viktimën rastësisht në kafe dhe më pas ka vepruar.

 

“Isha pranë një kinkalerie bashkë me një shokun tim. Pashë që shënjestra ka qenë ulur në lokal. Pashë atë dhe ika 300 metra larg. Lashë makinën atje dhe u ktheva në këmbë. Armën e mbaja me vete. Shoku nuk ka qenë në dijeni. E pashë rastësisht në kafe. Veprova nga gjaknxehtësia. U largova bashkë me shokun nga Durrësi në drejtim të Kukësit”, u shpreh ai para hetuesve.

 

Kujtojmë që Rexha u vetëdorëzua ditën e djeshme në polici.