Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti konfirmoi se, nesër në ndërtesa publike do të mbahen seancat konstituive për betimin e kryetarëve të rinj të komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Kurti, në fjalën hyrëse të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës tha se nuk është normal që tash e 6 muaj këto komuna kanë mbetur pa kryetar, por edhe qytetarët pa shërbime komunale.
Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se veprimet e tyre kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim.
Kurti: Nesër në ndërtesa publike do të betohen tre kryetarët e rinj
“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i tre kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Kanë kaluar mbi 6 muaj prej kur këto katër komuna mbeten pa kryetar, dy prej tyre edhe pa Kuvende, e banorët atje pa shërbime komunale, kjo nuk është normale, veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje është obligim i yni këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë e vendit, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe republikë“, tha ai.
Teksa e përmendi edhe betimin e Erden Atiq si kryetar të Mitrovicës së Veriut, shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti u shpreh se Beogradi ndikoi në dalje të ulët të qytetarëveserbë në zgjedhjet e prillit që janë mbajtur në komunat veriore.
Kurti: Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serb në këto zgjedhje
“Dje u bë 1 muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve në komunën veriore të Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit. Nuk pati asnjë incident ishin të qeta dhe paqësore, frikësimet, linçimet, trysnia dhe shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serbë në këto zgjedhje. Vota e munguar ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik, fushatat e tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokalë veçanërisht në katër komunat tona të vendit janë të shpeshta dhe të vazhdueshme, por veç pse diçka ndodh shpesh dhe vazhdimisht nuk do të thotë se është normale dhe e pranueshme”, u shpreh Kurti.
Kryetarët e zgjedhur në tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan pritet të betohen të enjten në orën 10:00, në objektet publike të komunave dhe jo tek asambletë komunale.
Ndërsa, të premten (19 maj) në seancë solemne në objektin e Komunës së Mitrovicës Veriore është betuar si kryetar, Erden Atiq, i cili ka emëruar edhe katër drejtorë komunalë. Vendimi i parë që Atiq ka marrë, ka qenë emërimi i Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetare të komunës./B.Ibishi/ /KosovaPress/